Çmimet e larta, importet e karburanteve ranë me 7.3 për qind në maj
Importet e karburanteve ranë në maj 2026, të ndikuara nga çmimet e larta dhe ngadalësimi i kërkesës në ekonomi.
Sipas të dhënave të Financave për mallrat kryesore të akcizës, gjatë muajit maj u importuan 55,421 ton karburante, nga 59,790 ton në të njëjtin muaj të vitit 2025, ose 7.3% më pak.
Edhe në treguesin progresiv pesëmujor, importet e karburanteve paraqiten më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar. Në periudhën janar-maj 2026 janë importuar 263,139 ton karburante, kundrejt 279,238 tonëve në të njëjtën periudhë të vitit 2025, me një tkurrje prej rreth 5.8%.
Në segmentin e cigareve, të dhënat tregojnë një tendencë të kundërt. Gjatë muajit maj 2026 u importuan 334 ton cigare, nga 245 ton në maj 2025, duke regjistruar një rritje të fortë prej mbi 36%.
Edhe në totalin e pesë muajve të parë, importet e cigareve arritën në 1,333 ton, krahasuar me 1,177 ton në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja vjetore rezulton rreth 13.3%, duke sugjeruar një zgjerim të konsumit ose një riorganizim të stokut të operatorëve të tregut.
Një zhvillim interesant vërehet edhe te kafeja. Në muajin maj importet e kafesë mbetën pothuajse të pandryshuara, në 1,039 ton, kundrejt 1,029 ton në maj 2025, ose vetëm 1% më shumë.
Megjithatë, në total, importet e kafesë kanë shënuar rënie. Për periudhën janar-maj 2026 janë importuar 3,872 ton, nga 3,983 ton në pesëmujorin e parë të vitit të kaluar, ose rreth 2.8% më pak.
Ndërkohë, birra rezulton produkti me ecurinë më pozitive mes mallrave të akcizës. Gjatë muajit maj u importuan 5.375 milionë litra birrë, nga 4.786 milionë litra në maj 2025, me një rritje prej rreth 12.3%.
Në total, importet e birrës për pesë muajt e parë të vitit arritën në 17.983 milionë litra, kundrejt 18.911 milionë litrave një vit më parë. Megjithëse në nivel progresiv rezultojnë rreth 4.9% më të ulëta, ritmi i muajit maj sinjalizon një rigjallërim të kërkesës me afrimin e sezonit turistik veror.